Secondary Adv

Pensionet ne rrezik, per 1 pensionist sot kontribuojne vetem 1.17 te punesuar

Vitet e fundit numri i pensionistëve është rritur me ritme më të shpejta se ai të punësuarve.

 

Nëse në vitin 2015, për të mbuluar pensionin e një qytetari kontribuonin 1.19 punonjës, sot kontribuojnë 1.17 punonjës. Për të qenë efektive dhe e shëndetshme një skemë pensionesh duhet që numri i kontribuesve të rritet me ritme më të shpejta se ai i përfituesve.

 

Kjo situatë nuk lejon kurrsesi sipas ekspertëve rritje pensionesh përtej indeksimit. “Me këtë skemë çfarëdo që të bësh nuk mundet dot që të rritet”, pohon Eduart Gjokutaj.

 

Për të ndihmuar pensionistët, që të paktën të arrijnë minimumin e përllogaritur nga INSTAT prej 18.8 mijë lekësh për të mos u konsideruar i varfër, Gjokutaj thotë se qeveria duhet të shtojë subvencionet për kategoritë më në nevojë mes pensionistëve. (Vjet pensionet e reja të lidhura ishin në vlerën 15.560 lekë, ndërkohë që mesatarja është 18,341 lekë).

 

“Nëse qeveria ka ndërmend të rritë pensionet për kategoritë e caktuara duhet të funksionojnë masat subvencionuese, që të justifikohet edhe politika sociale”, pohon Gjokutaj.

 

Rënia e numrit të kontriuuesve në raport me përfituesit sipas ekspertit Eduart Gjokutaj është pasojë e disa faktorëve.

 

“Natyrshëm që edhe plakja i popullsisë, apo rritja e vazhdueshme e numrit të pensionistëve ka ndikuar që i gjithë ky raport që bazohet midis asaj çfarë kontribuohet dhe atyre që përfitojnë të vij duke u ulur.

 

Numri i pensionistëve të rinj që dalin çdo vit duhet të ishte më i ulët nga ata që hyjnë në skemën e kontributeve”, thotë eksperti. Puna në të zezë e mosdeklarimi i pagave po thellojnë edhe më shumë disbalancën kontribues-përfitues.

 

“Nga ana tjetër edhe infomaliteti gërryen bazën, pasi puna mbi formalizimin e tregun nuk bëhet vetëm me aksione por duhet të jetë e përditshme.

 

Punonjësit e sektorit bujqësor nuk ndjehen të motivuar ose të interesuar për të kontribuar për skemën, pasi edhe nëse kontribuojnë e ardhmja nuk do tu garantojë kushte minimale të jetesës”, thotë ai.

 

Pensionet private duhet të fuqizohen thotë eksperti por shteti duhet të garantojë paratë e qytetarëve. “Së  pari duhet të futen në një pjesë të tregut fondet e pensioneve private, me garantimin e shtetit, që duhet të sigurojë qytetarët që paratë i kanë të sigurta.

 

Kjo do të ulë edhe presionet e buxhetit të shtetit për të financuar skemën”, tha eksperti.

 

Aktualisht qeveria po bashkëpunon me ndërkombëtarët për reformën e re të pensioneve të bazuar në 4 shtylla kryesore, me synim rritjen e vlerës së pensionit që marrin qytetarët, rishikimin e formulës së indeksimit, por nga ana tjetër me synim rritjen e qëndrueshmërisë së skemës.

 

Vetëm vitin e kaluar nga buxheti i shtetit janë shpenzuar mbi 144 milionë euro për të financuar skemën e pensioneve dhe për të mbuluar me fond të gjithë pensionistët.

 

Këtë vit indeksimi i pensioneve do të ndodhë në tetor, dhe në buxhetin e shtetit janë caktuar 4.1 miliardë lekë (40.7 mln euro) dhe 3.6 miliardë lekë (35.9 mln euro) do të shpërndahen si bonus i fundvitit.

 

Aktualisht nga mbi 1.3 milionë të punësuar, vetëm 826 mijë paguajnë sigurimet, ndërsa numri i pensionistëve ka arritur në 704 mijë, duke u rritur me mbi 18 mijë në raport me vitin 2022./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat